
Presidenti Fatmir Sejdiu ka apeluar te dy partitë, PDK-ja dhe AAK-ja, që t’i lënë polemikat dhe të kontribuojnë në atë që, siç e ka quajtur ai, krijimin e një klime të përshtatshme politike në vend.
“Do t’u bëja apel të përgjithshëm për të gjithë aktorët e skenës politike në Kosovë, për partitë politike dhe subjektet e tjera, të jenë kontribuues të përbashkët në atë që e quajmë ne mirëkuptim të përgjithshëm për të krijuar një klimë të përshtatshme të bashkëpunimit politik, flas në kuptimin e asaj që ka të bëjë edhe me procesin e zgjedhjeve të ardhshme”, ka thënë kreu i shtetit, duke komentuar tensionin e javës së kaluar ndërmjet PDK-së dhe AAK-së.
Presidenti Sejdiu është shprehur se partitë duhet t’i mënjanojnë mundësitë për krijimin e polarizimeve politike. Megjithatë, ai është treguar optimist se këto tensione do të bien.“Mendoj se vërtet do të vijnë momente që do të bie sigurisht edhe kjo pjesë e shprehur e retorikës prezente këto ditë”, ka theksuar Sejdiu.